Treni niset 25 sekonda më herët, kompania hekurudhore japoneze kërkon falje publike
“Ku ka llaf nuk është pa gjë” – thotë populli. E tillë është edhe historia e kësaj memeje të famshme në rrjetet sociale, sipas së cilës, një tren në Japoni mbërriti në stacion me 35 sekonda vonesë, dhe për këtë piloti u kërkoi ndjesë pasagjerëve dhe Qendra e Hekurudhës u ktheu lekët e biletës të gjithëve. Këtë herë kemi edhe anën tjetër të medaljes, një histori së cilës edhe prestigjozja BBC i ka kushtuar artikullin më poshtë.
Për vetëm 25 sekonda më herët
Treni niset 25 sekonda më herët dhe kompania hekurudhore japoneze kërkon falje publike. Kjo pasi një klient u ankua se nuk arriti të hipte në tren, megjithëse kishta arritur në orar. Kompania ka kërkuar falje për “çdo shqetësim” të shkaktuar klientëve pasi një tren u largua nga stacioni 25 sekonda më herët.
Duke qenë se Japonia ka një nga shërbimet hekurudhore më të përpikta në botë, ky incident u konsiderua i denjë për një njoftim publik për shtyp, shoqëruar me falje dhe një hetim të brendshëm kur treni i orës 7.12 të mëngjesit në Stacionin Notogawa u nis në 7.11 e 35 sekonda të mëngjesit.
Hekurudhat e Japonisë Perëndimore (e njohur si JR-West) theksuan se treni, i destinuar për në Stacionin Nishi-Akashi në prefekturën Hyogo, mbërriti në ndalesën e tij të radhës pas Notogawa pikërisht në “kohën e përcaktuar”. Por një zëdhënës megjithatë e përshkroi incidentin si “vërtet të pafalshëm”, pasi disa klientë nuk ishin në gjendje të hipnin në tren dhe një u ankua te një punonjës i stacionit, i cili ia referoi çështjen selisë së JR-West.
Ai vjen pas një incidenti të ngjashëm në vjeshtën e vitit të kaluar, kur një tren nga Tokio për në qytetin lindor të Tsukuba u nis 20 sekonda më herët, duke bërë që operatori i Tsukuba Express të kërkonte falje publike. Asnjë klient nuk ishte ankuar në atë incident të veçantë, por falja u shpërnda gjerësisht në mediat sociale dhe u krahasua me performancën më pak se të kënaqshme të kompanive hekurudhore perëndimore.
JR-West tha në deklaratën e saj për shtyp se kishte hetuar incidentin e së premtes dhe zbuloi se konduktori kishte “keqkuptuar” orën e nisjes dhe kishte sinjalizuar shumë herët. Kompania tha se do të ofronte trajnime për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.
0 Comments