Praktika e pazakontë e Vetë-Mumifikimit të murgjve budistë
Ndërsa Budizmi u përhap në të gjithë vendet aziatike gjatë shekujve të kaluar, forma të ndryshme të shkollave dhe mësimeve budiste u shfaqën kur ajo hyri në kontakt me shumë kultura lokale. Disa murgj budistë evidentuan se të gjitha format e jetës janë të shenjta dhe u mësonin ndjekësve të lëviznin nëpër tempull me kujdesin më të madh, që ata të mos dëmtonin qoftë edhe rastësisht ndonjë milingonë apo insekt tjetër të vogël.
Sidoqoftë, shkolla dhe mësime të tjera kanë adoptuar besime dhe praktika mjaft të çuditshme, siç është edhe vetë-mumifikimi, në mënyrë që të arrihej një nivel i përparuar i iluminizmit. Por kjo nuk ka lidhje me përfytyrimin tuaj tipik për mumjet siç ishin ato të balsamosura në Egjiptin e lashtë.
Vetë-mumifikimi, u përhap shumë sidomos në Prefekturën Japoneze Yamagata në veri të vendit, duke filluar në shekullin e 11-të dhe deri në shekullin e 19-të, kohë kur qeveria japoneze vendosi që kjo ishte një formë e vetëvrasjes së asistuar dhe e sanksionoi me ligj. Por adhuruesit e vetë-mumifikimit e vazhduan ritualin e tyre edhe pas ndalimit të saj.
Kjo praktikë obskure pa dritën e diellit falë një murgu të njohur si Kūkai, themeluesi i shkollës Budiste Shingon gjatë fillimit të shekullit të 9-të. Kjo ishte pak a shumë një shkollë ezoterike[i]. Dy shekuj pasi Kūkai vdiq, hagiografia[ii] e tij doli në dritë dhe në të thuhej se ai nuk kishte ndërruar jetë, por përkundrazi kishte varrosur veten në një gjendje të medituese të thellë. Me kthimin e tij, miliona vjet në të ardhmen, ai do të ndihmonte të tjerët të ngjiteshin në gjendjen Nirvana, thuhej se pretendonte hagiografia.
Murgjit Yamagata Shingon kanë numrin më të madh të atyre që u përpoqën të bëhen Buda të gjallë, në mishin e tyre. Ata ia nënshtruan trupin e tyre ashpërsisë së ritualeve para se të hynin në gjendjen medituese në varret e tyre, ku jeta e tyre venitej ngadalë dhe me pas disa syresh u kthyen në mumje – Sokushinbutsu.
Para se ata të vetë-mumifikoheshin, kishte hapa për tu ndërmarrë dhe cikle për t’u përmbushur. Për shembull, si fillim, secili adhurues ndiqte një dietë të ngurtë e të papërpunuar për të përgatitur trupin për procesin. Rituali i parë i veçantë i të ngrënit zgjaste një mijë ditë dhe pasohej nga një tjetër cikël prej një mijë ditësh, të gjitha të programuara për të dehidratuar trupin dhe, më e rëndësishmja, për të eliminuar të gjitha bakteret dhe krimbat që ushqehen me mbetjet tona pas vdekjes.
Murgjit budistë nuk e panë këtë proces si vetëvrasje, përkundrazi ata e panë atë si shteg për ndriçimin apo ndërgjegjësimin përfundimtar. Ata do të arrinin formën Sokushinbutsu nëse kufoma e tyre do të gjendej e paprekur një mijë ditë pas vdekjes së tyre, kjo do të thoshte që kërkimi shpirtëror ishte përmbushur.
Pra, përgatitja fillonte me një dietë të kufizuar në të cilën murgjve u lejohej të konsumonin vetëm ujë, fruta, arra dhe fara që mblidheshin në pyje dhe male. Një zgjedhje e tillë e papërpunuar e dietës e ndihmon trupin të humbasë pjesën më të madhe dhe muskujve. Në fazën tjetër të përgatitjes, ata vazhdonin me konsumimin e rrënjëve dhe lëvoreve të pishave. Gjithashtu konsumohej edhe çaj i bërë nga urushi, lëng toksik i pemës së llakut.
Çaji veçanërisht ndihmonte në pastrimin e organeve të brendshme të trupit nga çdo parazit, për të parandaluar shpërbërjen e kufomës kur koha afrohej. Kur përfundonte procesi i përgatitjes, murgjit vendoseshin të gjallë në varret e tyre, të cilat thjesht kishin hapësirën e mjaftueshme për të ndenjur ulur në pozën e lotusit. Aty, murgu kishte një tub që i lejonte ata të merrnin frymë, plus një zile të cilës i binin çdo ditë për të njoftuar tempullin se ende nuk kanë vdekur. Sapo kumbimi ndalonte, supozohej që adhuruesi kishte ndërruar jetë. Më pasi hapej varri, hiqej tubi i ajrosjes dhe vendi vulosej për një mijë ditë të tjera.
Pas kësaj, varri rihapej dhe murgjit kontrollonin për shenja të kalbjes. Disa burime pretendojnë se janë rreth 24 Buda të Gjallë “të mbijetuar”, procesi i mumifikimit i të cilave u konfirmua i suksesshëm. Të tjerët thonë se kishte shumë më tepër, por ata kanë humbur në labirintin e kohës. Nëse brenda një varri gjendej një mumje, ajo merrej që aty, vishej bujarisht me rroba dhe shfaqej në tempuj për adhurim. Pjesa tjetër e murgjve mbetjet e të cilëve ishin shpërbërë merrnin një shpërblim më të thjeshtë; megjithëse mbeteshin të varrosur, ata prapë vlerësoheshin për qëndresën, rezistencën dhe përpjekjet e tyre.
Vetëm një pjesë e mumjeve ekzistuese të murgjve mund të shihen në tempuj në të gjithë Japoninë. Dhe një nga mumiet më të lëvduara nga të gjithë është ajo e Shinnyokai-Shonin, i cili jetoi nga viti 1687 deri në 1783. Shinnyokai iu nënshtrua vetes për t’u bërë një Sokushinbutsu kur mbushi 96 vjeç dhe dyshohet se kjo erdhi pas 42 ditësh abstenim total. Ai pushon në një pozicion si zambak uji dhe është i vendosur në një faltore të veçantë në tempullin Dainichi-Boo, një vend i lidhur me murgjit që ndoqën vetë-trajtim. Shinnyokai mban një veshje të zbukuruar që ndryshohet rregullisht gjatë ritualeve të veçanta. Rrobat e tij të vjetra përdoren për të prodhuar hajmalitë që u shiten më pas vizitorëve që vijnë në tempull.
Personi i fundit që ka arritur Sokushinbutsu e bëri këtë pasi qeveria ndaloi këtë formë të vetë-trajtimit brutal në fundin e shekullit të 19-të. Ka të bëjë me një murg me emrin Bukkai i cili vdiq në 1903 dhe ndërsa i nënshtrohej procesit të ndriçimit, nga bashkëkohësit u quajt i çmendur. Mbetjet e tij u mbajtën të paprekura deri në fillimin e viteve 1960, kur studiuesit e universitetit më në fund vendosën ta inspektojnë atë, duke i gjetur ato në një gjendje jashtëzakonisht të ruajtur mirë.
Sot, Sokushinbutsu është një gjë e së kaluarës, por interesi për të parë një të tillë nuk ka pushuar kurrë, dhe vizitorët dynden në ato tempuj që ruajnë një mumje. Përveç Japonisë, raste, ku priftërinjtë i janë nënshtruar vullnetarisht mumifikimit, janë regjistruar në vende të tjera si Kina dhe India.
Nga: Stefan Andrews
Përktheu: Geo_Histori
[i][i] Në filozofi, emërtimi ezoterikë karakterizon mësimin e lënë nga filozofët e lashtë , veçanërisht nga Pitagora dhe Aristoteli nxënësve të tyre [ii] Një hagiografi ose ‘jeta’ është një biografi e një shenjtori ose e një udhëheqësi fetar, një biografi adhuruese dhe e idealizuar e një themeluesi, shenjtori, murgu, murgeshës ose ikonës në ndonjë prej feve të botës.
0 Comments