Mwepu Ilunga, lojtari i goditjes së lirë më të famshme të Botërorëve
Për shumë vite ai u trajtua si një figurë “komike” e futbollit. Ai ishte lojtari që “nuk i dinte as rregullat bazë të futbollit… lojtari që kishte kthyer pas akrepat e orës në historinë e futbollit afrikan me 25/30 vjet.
Ishte Joseph Mwepu Ilunga, mbrojtësi i Zaires, lojtari i goditjes së lirë më të famshme të Kupës së Botës 1974.
Në atë Botëror Zaire u mposht fillimisht nga Skocia 0-2 dhe më pas nga Jugosllavia me një rezultat katastrofik 9-0.
Ndeshja e fundit ishte kundër Brazilit, kampionit në fuqi të botës, të cilit i duhej të fitonte të paktën 3-0 për t’u kualifikuar.
Dhe ndeshja shkoi pikërisht kështu edhe por në histori hyri prej një goditje të pazakontë dënimi.
Ishte thjesht një goditje e lirë nga jashtë zone, por që krejt papritmas u kthye në një goditje e lirë në sens të kundërt.
Në minutën e 85-të verdh-jeshilët kanë mundësi të rrisin epërsinë me një goditje dënimi nga afër zonës.
Për këtë kujdeset Rivelino, me të majtën e tij fantastike, i cili bisedon me shokët e skuadrës, duke zgjatur kohën e goditjes.
Por papritur Mwepu shkëputet nga barriera e vendosur, duke vrapuar me vendosmëri drejt topit dhe e shkelmon atë sa më larg të jetë e mundur.
Mbrojtësi i krahut merr karton të verdhë mes të qeshurave dhe ironisë së brazilianëve dhe spektatorëve.
Vite më vonë u kuptua se në realitet kishte shumë pak për të qeshur.
Mobutu, diktatorit të Zaires, nuk i “pëlqeu” disfata 9-0 ndaj Jugosllavisë.
Një rezultat tepër i rëndë për krenarinë e një prej tiranëve më të rrezikshëm në histori, dhe para ndeshjes ndaj Brazilit kishte mbërritur kërcënimi për ekipin: “Nëse humbet me më shumë se 3-0 askush nuk do të kthehet i gjallë në shtëpi”.
Ishte Mwepu ai që e konfirmoi atë në një intervistë:
“Ne ishim tashmë 3-0, unë u panikova dhe e hodha topin larg. Brazilianët qeshën, por ata nuk e kuptonin se çfarë ndjeja në atë moment.”
Ai ndëshkim “i kundërt” nuk ishte një gjest komik nga një “injorant” i rregullave të futbollit, ishte thjesht gjest i një njeriu të dëshpëruar që kishte frikë për jetën e tij.
0 Comments