1 Maji, festë apo protestë!?
1 Maji, ose e quajtur ndryshe Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, është dita përkujtimore e luftërave dhe fitoreve historike të bëra nga punëtorët dhe lëvizjet e punës.
Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada një homazh i ngjashëm, i njohur si Dita e Punës, bëhet të hënën e parë të shtatorit.
Në 1889 një federatë ndërkombëtare e grupimeve socialiste dhe sindikatave caktoi 1 majin si ditën në mbështetje të punëtorëve, në përkujtim të protestave të Haymarket në Çikago (1886). Pesë vjet më vonë, Presidenti i Sh.B.A. Grover Cleveland, i shqetësuar nga origjina socialiste e Ditës së Punëtorëve, nënshkroi legjislacionin për ta bërë Ditën e Punës, e mbajtur tashmë në disa shtete të hënën e parë të shtatorit dhe festë zyrtare në SHBA për nder të punëtorëve. Kanadaja ndoqi shembullin e tyre jo shumë më vonë.
Në Europë 1 maji shoqërohej historikisht me festivale pagane rurale (më 1 maj, në Evropën mesjetare dhe moderne, janë festimet për kthimin e pranverës), por kuptimi origjinal i ditës u zëvendësua gradualisht nga shoqatat moderne të lëvizjes punëtore.
Në Bashkimin Sovjetik, udhëheqësit e përqafuan me entuziazëm festën e re, duke besuar se kjo do të inkurajonte punëtorët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të bashkohen kundër kapitalizmit. Kjo ditë u bë një festë e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e bllokut komunist Lindor, ku kremtohej me parada madhështore, duke përfshirë edhe një në Sheshin e Kuq të Moskës, që drejtohej nga qeveritarë të lartë komunistë, duke festuar me punëtorët dhe gjithashtu duke nxjerrë në pah fuqinë ushtarake Sovjetike.
Në Gjermani Dita e Punës u bë një festë zyrtare në 1933 pas ngritjes së Partisë Naziste. Ironikisht, Gjermania shfuqizoi sindikatat e lira një ditë pas vendosjes së festës, duke shkatërruar praktikisht lëvizjen gjermane të punës.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rënien e qeverive komuniste në Evropën Lindore në fund të shekullit 20, festimet në shkallë të gjerë të 1 majit në atë rajon ranë për nga rëndësia. Në dhjetëra vende të botës, megjithatë, 1 Maji është njohur si një festë publike dhe ajo vazhdon të festohet me pikniqe dhe ahengje ndërsa ka akoma vende ku shërben si rast për demonstrata dhe tubime në mbështetje të punëtorëve.
Marrë nga: www.britannica.com
0 Comments